"E doja 18-vjecaren shtatzene, por mu lut t'ia prisja koken", Monstra e Durresit rrefehet per krimin makaber
Katër vite nga vrasja makabre në Durrës e 18-vjeçares Aishe Vata, e cila ishte dhe në muajin e 3 të shtatzënisë, autori i krimit, Shaban Norja, i cilësuar si “Monstra e Durrësit” rrëfen peshën e madhe të dhimbjes dhe pendesës për ngjarjen. Në një intervistë në “NEWS 24” për emisionin ‘Studio e Hapur’, 84-vjeçari, i cili është dënuar me 25 vite heqje lirie pohon se ishte vet Aishja ajo që e luti ta vriste, pasi nuk pranonte që të abortonte. Madje, i moshuari, preket teksa flet se vajzën e donte shumë. Ngjarja e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi në 9 tetor në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, ndërsa vrasja u zbulua në 11 tetor. 18-vjeçarja kishte mbi dy ditë që nuk shkonte në shtëpi dhe për këtë arsye familjarët njoftuan policinë. Ditën e tretë të zhdukjes së saj, policia gjeti rreth 500 metra larg banesës së Shaban Norjas trupin e 18-vjeçares të cilës i ishte prerë kokën. Pak ditë më pas u arrestua i moshuari, i cili në polici tregoi edhe vendndodhjen e kokës. Ai pranoi në këtë mënyrë vrasjen dhe historinë që kishte me viktimën. Prokuroria në sallën e gjyqit mes provave të shumta paraqiti edhe analizat e AND-së që vërtetonin se ishte pikërisht 80-vjeçari (kur kreu krimin) që ishte babai i foshjes së palindur. Sipas prokurorit, vrasja u planifikua nga autori për 3 javë me rradhë. Gjykata e Durrësit e dënoi të moshuarin me burgim të përjetshëm por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim iu konvertua në 25 vite heqje lirie.INTERVISTA
Ju jeni dënuar nga drejtësia shqiptare 4 vite më parë për vrasjen e një vajze të re..Jeni penduar për këtë gjë?
Si nuk jam penduar! Kur e kam vrarë kam thënë çfarë bëra unë. Si ma mbushi mendjen ajo mua ‘më vrit ti mua që të shkoj në xhehenet’. Jam çuditur. Tre netë dhe tre ditë ajo më ka marrë mua mbi 18 herë në telefon. S’kam fjetur gjumë fare.
A kishit ju një lidhje me Aishen?
Po.
Sa kishit?
Gjatë 3 muajsh apo 4 muaj.
Ku takoheshit?
Tek baçja ime. E kisha baçen e madhe.
Është folur në atë kohë që Aishja ishte shtatzënë?
Po po ishte shtatzënë. Ishte 3 muajshe.
Ishit ju baba i fëmijës?
Po pra. Nuk pranonte që të abortonte fëmijën për arsye se thoshte ‘nuk e vret nëna fëmijën’.
Ju ia kërkuat që të abortonte?
Po pra. Doja ta zhdukja këtë punë. Nuk pranonte kurrë.
Pse ia kërkuat? Nuk donit që të vazhdonte lidhja?
Nuk doja unë. Më vinte zor. Biles doja që ta ndërprisja lidhjen.
Kush kërkoi ta ndërpriste lidhjen?
Unë kërkova që ta ndërprisnin lidhjen.
Dhe çfarë ndodhi në këto momente?
Ndodhi ajo që ndodhi. Ajo thoshte nuk e abortojë fëmijën. Këmbëngulte ‘nëna nuk aborton fëmijën’.
Ju donit që ta hiqnit?
Doja që ta hiqte, pasi dhe ajo mos të bëhej me fjalë. Biles ajo mos të bëhej me fjalë. Ajo nuk pranoi që të abortonte.
Të kërkonte që të martoheshit?
Jo asnjëherë.
Thjesht refuzoi të abortonte fëmijën…
Po ashtu.
Dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi…
Ndodhi ajo që ndodhi.
E doje Aishen?
Sigurisht. Të them jo do të rrej. E doja kaq shumë sa nuk e ke idenë. Ndaj i thosha, që ‘më mirë abortojmë fëmijën dhe vazhdojmë’. Këmbënguli: “o më vrit o s’ka”.
A ka pasur grindje mes jush?
Asnjëherë nuk kemi pasur debat. Ndaj dhe më vjen keq. Ajo vinte duke qeshur dhe duke folur tek unë.
Ju ishit i ndërgjegjshëm? Pasi ishit burrë në moshë dhe ajo një vajzë e re…
Të thash pra, ai ishte gabim, ishte i imi. Kjo që ka ndodh iku tani, mua më vjen keq. Dhe për nënën e saj. (Qan) Kur e vret tjetrin duhet të revoltohesh. Por unë jo. Ndaj më vjen keq. Më vjen shumë keq biles. (Qan).
Vinë fëmijët t’jua takojnë në burg?
Po.
S’ju kanë mbajtur mëri për ngjarjen?
Jo jo. Jo vetëm fëmijët e mi, por dhe lagja më ka ardhur të më takojë. Edhe njerëz që kam pasur muhabet. Nuk e di se pse e bëra. Nuk kam rrahur as një fëmijë. Një kalama nuk kam rrahur. Gjeta dy fëmijë duke marrë hurma, dhe ata u frikësuan se do i rrija. Unë i mora dhe i këshillova që kur të piqen do ju jap nga një arkë.
Sherre me ju ka pasur?
Asnjëherë.
Edhe kur ajo nuk refuzonte të abortonte?
Asnjëherë. Unë doja ta bindja jo që të kishte grindje. Por nguli këmbë dhe thoshte ‘Nuk e vret nëna fëmijën. Më vrafsh ti mua. Po të më vrasë baba do shkoj në xhehenem, po të më vrasësh ti do shkoj në xhenet./balkanweb